Название | Forcat E Kundërta |
---|---|
Автор произведения | Aldivan Teixeira Torres |
Жанр | Детская проза |
Серия | |
Издательство | Детская проза |
Год выпуска | 0 |
isbn | 9788873047650 |
Zogjtë cicërijnë, dhe rrezet e diellit më përkëdhelin fytyrën në të gjitha pjesët e saj. Ku jam? Më duket sikur kam qenë i pirë një ditë më parë. Mundohem të ngrihem por një krah më pengon ta bëj këtë. Shoh se afër meje është një grua në moshë mesatare, me flokë të kuqe dhe lëkurë të nxirë nga dielli.
—Kush je ti? Çfarë më ka ndodhur? Më dhemb i gjithë trupi. Mendja ndihet e pështjelluar dhe e zbehtë. Mos është ngaqë gjendem në majë të malit? Mendoj se duhet të kisha qendruar në shtëpi. Ëndrrat më kanë shtyrë të vija deri këtu ku jam. Iu ngjita malit me ngadalë, plot shpresë për një të ardhme më të mirë dhe me një synim për t’u rritur personalisht. Gjithsesi, praktikisht nuk mund të lëviz. M’i sqaro të gjitha këto, të lutem shumë.
—Unë jam roja e malit. Unë jam shpirti i Tokës që lëviz aty këtu. Kam ardhur këtu sepse ti e fitove sfidën. A dëshiron që t’i bësh ëndrrat e tua realitet? Do të të ndihmoj ta arrish këtë, biri i Zotit! Ke akoma shumë sfida për të përballuar. Unë do të të stërvis. Mos ki frikë. Zoti yt është me ty. Pusho pak. Do të vij prapë me ushqime dhe ujë për të plotësuar nevojat që ke. Ndërkohë, çlodhu dhe medito siç bën gjithmonë.
Dhe duke thënë kështu, gruaja m’u zhduk nga sytë. Ky imazh ngacmues më la më të stresuar dhe plot me dyshime. Çfarë sfidash më duhet të kaloj? Çfarë përmbajnë këto sfida? Maja e malit ishte vërtet një vend i qetë dhe shumë i shndritshëm. Nga kaq lart, mund të shihet grumbulli i vogël i shtëpive në Mimoso. Është një pllajë e mbushur me rrugë të rrëpirta plot me bimësi në të gjitha anët. A do t’i realizojë planet e mia ky vend i shenjtë, i paprekur nga natyra? A do më bënte vallë një shkrimtar me të nisur udhëtimin? Vetëm koha mund t’i jepte përgjigje këtyre pyetjeve. Meqë gruaja po vonohej pak, fillova të meditoja në majën e malit. Përdora këtë teknikë: së pari, çlirova mendjen (duke mos pasur asnjë mendim). Nisa të jem në harmoni me natyrën përreth meje, duke soditur me mendje të gjithë vendin. Nga këtu, nis të kuptoj se jam pjesë e natyrës dhe se ne jemi të bashkëngjitur në një ritual të madh lidhjeje shpirtërore. Heshtja ime është heshtja e Mëmës Natyrë; e qara ime është gjithashtu e qara e saj; Dalngadalë, nis të kuptoj dëshirat dhe aspiratat e saj, dhe anasjelltas. E ndjej tek kërkon ndihmë e stresuar, tek përgjërohet që t’i shpëtohet jeta nga shkatërrimi që po i bëjnë njerëzit: Shpyllëzimi, aktiviteti i nxjerrjes minerare, gjuetisë dhe peshkimit pa kriter, emetimi i gazeve ndotëse në atmosferë dhe mizoritë e tjera që bëjnë njerëzit. Po kështu, ajo më dëgjon dhe më mbështet në të gjitha planet që kam. Ne jemi krejt të kyçur gjatë meditimit. E gjithë harmonia dhe bashkëpunimi më ka lënë totalisht në heshtje dhe të përqendruar në dëshirat e mia. Derisa diçka ndryshoi: Ndjeva të njëjtën prekje që më zgjoi njëherë më parë. Hapa sytë, ngadalë, dhe pashë se gjendesha ballë për ballë me po atë grua që e quante veten roja e malit të shenjtë.
—E shoh se po e kuptoni sekretin e meditimit. Mali ju ka ndihmuar të zbuloni pakëz prej aftësive që keni. Ju do të rriteni në shumë mënyra. Do të të ndihmoj gjatë këtij proçesi. Së pari, të kërkoj që të kthehesh tek natyra dhe të gjesh trungje, listela, mbështetëse dhe litarë për të ngritur një kasolle, dhe pastaj dru zjarri për të bërë një zjarr të madh. Tashmë nata po afrohet dhe ti ke nevojë të mbrohesh nga bishat e egra. Duke filluar që nesër, do të të mësoj mençurinë e pyllit në mënyrë që të mund të kapërcesh sfidën e vërtetë: Shpellën e dëshpërimit. Vetëm pastërtia e zemrës i mbijeton zjarrit të saj. A dëshiron që ëndrrat e tua të bëhen realitet? Atëherë paguaj për çmimin që kanë ato. Universi nuk jep ndonjë gjë falas për askënd. Jemi ne që duhet të jemi të denjë në mënyrë që të arrijmë suksesin. Ky është një mësim që duhet ta mësosh, biri im.
—Të kuptoj. Shpresoj se do mësoj gjithçka që më duhet për të kapërcyer sfidat e shpellës. Nuk e kam fare idenë se çfarë sfidash janë por kam besim në vete. Nëse arrita të hip në majë të malit, do t’ia dal mbanë edhe te shpella. Kur të largohem, mendoj se do jem i përgatitur për të fituar dhe për të patur sukses.
—Prit, mos ki kaq shumë besim në vete. Ti nuk e njeh shpellën që po të tregoj. Dije se shumë luftëtarë janë përpjekur më parë të luftojnë me zjarrin e saj por janë asgjësuar. Shpella nuk ka mëshirë për asnjë njeri, as edhe për ëndërrimtarët. Ki durim dhe mëso gjithçka që do të të tregoj unë. Kështu që do të bëhesh një fitimtar i vërtetë. Mbaj mend: Besimi në vete të ndihmon, por vetëm në masën e duhur.
—Të kuptoj. Të faleminderit për të gjitha këshillat që më dhe. Të premtoj se do t’i zbatoj deri në fund. Kur të më kapë frika e dyshimit, do të sjell në mend fjalët e tua, gjithashtu edhe Zotin tim që më ruan gjithmonë. Edhe kur nuk ka shpëtim në natën e errët të shpirtit, unë frikë nuk do të kem. Do ta mund shpellën e dëshpërimit, shpellën nga e cila nuk ka shpëtuar askush!
Gruaja tha mirupafshim me përzemërsi duke premtuar se do kthehej ditën tjetër.
Kasollja
Një ditë e re erdhi. Zogjtë fërshëllenin dhe këndonin këngën e tyre, era frynte nga verilindja dhe flladi i saj freskonte diellin që rrihte shumë nxehtë në këtë periudhë të vitit. Tani është Dhjetor dhe për mua ky muaj përbën një nga muajt më të bukur të vitit pasi është fillimi i pushimeve të shkollës. Është një pushim i merituar pas një viti të gjatë kushtuar studimeve universitare në degën e Matematikës; Momenti kur mund të harrosh të gjitha integralet, derivatet dhe kordinatat polare. Tani më duhet të merakosem për të gjitha sfidat me të cilat do më përplasë jeta. Ëndrrat e mia varen nga kjo. Shpina më dhemb si rezultat i një nate me gjumë të keq, i shtrirë në tokën e shkelur që e përgatita si shtratin tim. Kasollja që ngrita me shumë përpjekje dhe zjarri që ndeza më dhanë njëfarë sigurie për natën. Gjithsesi, dëgjova britma dhe zhurmë hapash aty jashtë. Po ku më kanë çuar ëndrrat e mia? Përgjigja është: në fund të botës aty ku qytetërimi ende nuk ka mbërritur. Po ti lexues, çfarë do bëje? A do ta rrezikoje veten në një udhëtim për t’i bërë realitet ëndrrat e tua më të mëdha? Le të vazhdojmë me rrëfimin.
I zhytur në pyetjet dhe mendimet e mia, gati nuk e kuptova se, pranë meje, ishte ajo gruaja e çuditshme që më premtoi të më ndihmonte në rrugëtimin tim.
—A fjete mirë?
—Nëse mirë do të thotë se jam prapë i tëri, atëherë them se po.
—Pikësëpari, më duhet të të them se toka ku po shkel është e shenjtë. Kështu që, mos u gënje nga pamja e jashtme ose nga tërheqja momentale. Sot është sfida jote e parë. Nuk do të të sjell më ushqim apo ujë. Do t’i gjesh vetë për llogarinë tënde. Ndiq zemrën në të gjitha situatat. Duhet ta dëshmosh se je i denjë.
—Ka pak ujë dhe ushqim në këtë gëmushë dhe a duhet ta marr? Shiko, Zonjë, unë jam mësuar të bëj pazar në supermarket. E shikon këtë kasolle? Më ka kushtuar djersë dhe lot dhe prapë nuk ma ha mendja se është e sigurtë. Pse nuk ma dhuron atë që më nevojitet? Mendoj se e kam treguar me prova se jam i denjë që në momentin që hipa në malin e thepisur.
—Kërko për ushqim dhe ujë. Mali është vetëm një hap në proçesin e rritjes tënde shpirtërore. Akoma nuk je gati. Më duhet të të kujtoj se unë nuk jap dhurata. Nuk kam fuqi për ta bërë këtë. Jam vetëm shigjeta që të tregon rrugën që duhet ndjekur. Shpella është ajo që të dhuron çfarë ke dëshirë. Quhet shpella e dëshpërimit siç e deshën ata, ëndrrat e të cilëve u bënë të pamundura.
—Do ta provoj. Nuk kam çfarë të humbas. Shpella është shpresa ime e fundit për të patur sukses.